Dalin pamjet, momentet e fundit të biznesmenit shqiptar që u vra në Greqi (VIDEO)

Kanë dalë pamjet e fundit të biznesmenit shqiptar që u vra në Greqi.

Emisioni “Tlive” ka publikuar një video ekskluzive, në të cilën janë regjistruar minutat e fundit të biznesmenit shqiptar në Greqi, para se të futej në hotelin ku u vra.

Nga kamerat e sigurisë duket edhe momenti kur 46-vjeçari ndalon makinën, për të shkuar në një kioskë për të blerë një pije freskuese, teksa flet në telefon.

Më tej ai futet sërish në makinë për të shkuar te hoteli, te vendi ku dhe dha frymën e fundit, shkruan albeu.com.

Xhani Topalli, 46 vjeç u vra në ishullin e Rodos nga pronari i një hoteli dhe i biri i tij, pasi këta të fundit i detyroheshin shqiptarit 70 mijë euro, raporton protothema.gr.

Topalli kishte bërë punime në hotelin e vrasësit, i cili nuk e pagoi kurrë për punën që bëri.

Xhani Topalli, 46-vjeç, baba i tre fëmijëve, rezultonte i zhdukur që prej datës 28 gusht. Në ditën e fundit ai kishte takuar 53-vjeçarin, pronar hoteli në Greqi, i cili kishte për t’i shlyer disa detyrime në bazë të një marrëveshje që kishin.

Mbrëmjen e 28 gushtit, kur edhe u zhduk, Xhani Topalli, ka pasur një takim me 53-vjeçarin grek. Ai po përpiqej që t’i merrte një borxh prej 30 mijë eurosh biznesmenit grek, i cili e kishte kontraktuar për punë ndërtimi. Ky i fundit deklaroi se takimi mes tyre ishte anuluar, por kamerat e sigurisë, zbuluan se takimi ishte zhvilluar dhe ishte kryer vrasja.

Kujtojmë se se vrasësit e shqiptarët janë lënë në burg nga drejtësia greke.

Pas rrëfimit të tyre, dy të pandehurit me vendim unanim të Hetuesit dhe Prokurorisë janë cilësuar si të arrestuar të përkohshëm dhe janë lënë në burg, ndërsa me mbylljen e hetimeve pritet të jepet edhe dënimi për ta.

Çfarë pretenduan dy të pandehurit në deklaratat e tyre?

Të dy të pandehurit, në prani të avokatëve të tyre z. Aki dhe Dimitris Dimitriadis dhe Dimitris Verberis, pretenduan se vdekja e 46-vjeçarit erdhi si pasojë e një aksidenti gjatë një zënke dhe argumentuan se ai me sa duket, vdiq si pasojë e rënies së tij në tokë. Por nuk argumentuan se si kishte mbetur me një litar në qafë.

Ata gjithashtu theksuan se për këtë nuk ka faj 20-vjeçari. Sjellja e dy të pandehurve në sallën e gjykatës u bë, nën masa të forta sigurie.

Një grup bashkatdhetarësh të viktimës janë mbledhur herët jashtë gjykatave dhe me të mbërritur dy të pandehurit kanë sharë duke u kërkuar që të “kalbeshin në burg”. Komandanti i Drejtorisë së Parë të Policisë Dodekanez, z. Manolis Kazamias, u përpoq të qetësonte turmën.

Duke folur për mediat, kryetari i Komunitetit Shqiptar të Rodosit, z. Aris Kasapi, deklaroi se ata donin jo vetëm të shprehnin indinjatën e tyre për vrasjen e 46-vjeçarit, por të kërkonin dënimin shembullor për ata që janë përgjegjës.

“Jemi mbledhur si njerëz, si bashkatdhetarë të viktimës për të dërguar një mesazh, për të kërkuar dënimin real të atyre personave që i morën jetën. Ky është një krim i urryer dhe ajo që ne kërkojmë është që Drejtësia të vihet në vend”, tha zoti Kasapi, ndërsa përmendi se javën e ardhshme do të mbahet një miting i madh në Rodos nga komuniteti shqiptar në bashkëpunim me sindikatat e ishullit.

Siç përmendi Kasapi, qëllimi i tubimit nuk është vetëm të përhapet mesazhi për dënimin shembullor të të arrestuarve, por edhe t’u mësojë fëmijëve të vegjël se mosmarrëveshjet e njerëzve nuk duhet të zgjidhen në mënyra të tilla, ekstreme.

Ndërkohë ende mbetet për t’u parë se çfarë detajesh të reja do të dalin nga kjo ngjarje.

Për të parë videon klikoni KËTU. /albeu.com