Çfarë ndodhi? QKB pezullon kompaninë e fluturimeve “Air Albania”

Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) ka pezulluar aktivitetin e shoqërisë së fluturimeve “Air Albania”, pasi kjo e fundit nuk ka deklaruar pronarët përfitues.

Sipas njoftimit të QKB-së në ekstraktin e kompanisë: “Bazuar në nenin 15/1 të ligjit Nr. 6/2022 “Për Disa Ndryshime dhe Shtesa në Ligjin Nr.112/2020, Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”, i ndryshuar, QKB për subjektet raportuese, të cilat kryejnë shkeljet e parashikuara në pikën 4 të këtij neni, do të ndryshojë statusin nga “AKTIV” në statusin “PEZULLUAR” deri në pagesën e gjobës dhe regjistrimin e të dhënave përkatëse për pronarët përfitues”.

Statusi i kompanisë është deklaruar i pezulluar që nga data 1 shtator.

Ligji “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, parashikon që të gjitha subjektet raportuese të regjistruara në Republikën e Shqipërisë kanë detyrimin e regjistrimit të pronarëve përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Afati fillestar ishte data 30.6.2021, por që më pas u shty deri në 30 qershor të këtij viti për shkak të problemeve që u hasën me zbatimin e tij.

Sipas ligjit, mosregjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij brenda 40 (dyzet) ditësh pas përfundimit të afatit të përcaktuar dënohet me gjobë në vlerën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë;

Air Albania u krijua në vitin 2018, si një kompani kombëtare e fluturimeve, ku shteti, përmes “Albcontrol” ka 10% të aksioneve, “MDN INVESTIMENT”, e krijuar po në vitin 2018, ka 41% të kuotave dhe “TÜRK HAVA YOLLARI A.O.” 49%.

Aksionere të “MDN INVESTIMENT”, me nga 50% secila janë Najada Idrizi dhe Rejana Idrizi, sipas ekstraktit në QKB, të cilat i morën gradualisht aksionet nga Sinan Idrizi dhe Ron Yeffet përgjatë vitit 2018.

Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil, në fund të vitit 2021, “Air Albania” zinte rreth 12% të tregut të fluturimeve sipas numrit të pasagjerëve, duke u renditur e dyta, pas Wizz Air, me 42%.

Ndërkohë, vetëm gjatë ditës së djeshme, sipas të dhënave nga faqja zyrtare e Tirana International Airport, kompania kishte 10 fluturime në nisje, në Stamboll, Zyrih, Londër, Piza Bolonja, Antalia, Athinë, Milano, Romë.

Air Albania ka dorëzuar në QKB vetëm bilancin e vitit 2018, kur nuk kishte akoma aktivitet, ndërsa nuk është në QKB as bilanci i 2019-s dhe 2020-s, afati i të cilëve ka përfunduar me kohë. Bilanci i vitit 2021 ka kohë të dorëzohet deri në 15 shtator./Monitor/